Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar pas seancës së jashtëzakonshme se partia në pushtet po vazhdon përpjekjet për të gjetur zgjidhje rreth çështjes së zgjedhjes së Presidentit.
Ajo tha se qëllimi kryesor mbetet shmangia e zgjedhjeve të reja dhe arritja e një marrëveshjeje brenda afatit kushtetues.
“Jemi këtu dhe do të bëjmë përpjekjet tona deri në fund që të shmangim zgjedhjet e reja. E patë që dy kandidaturat tona, edhe zëvendëskryeministri Konjufca edhe deputetja Fatmire, tashmë i tërhoqën kandidaturat e tyre dhe po bëjmë edhe një hap tjetër përpara, tepër të rëndësishëm, në mënyrë që të shmangim zgjedhjet e reja”, u shpreh Nagavci.
Ajo shtoi se deri në përfundim të afatit kushtetues do të vazhdojnë angazhimet, me shpresën që vendi të sigurojë President brenda afatit të paraparë.
