Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar mungesën e deputetëve të opozitës në Kuvend, duke thënë se ata nuk po e përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve që i kanë votuar.
Ai ka theksuar se roli i deputetit është përfaqësimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe mungesa në një ditë të rëndësishme për vendin përbën, sipas tij, dështim në përmbushjen e këtij mandati.
“Deputeti në këtë rast si funksion është delegat i deleguar, përfaqësues i popullit. Përpara iu kanë thënë delegat. Sepse ideja është që nuk i zënë një milion votues të gjithë në një sallë që të marrin vendime. Prandaj qytetarët edhe votojnë për deputetët në mënyrë që ata deputetë të vijnë në këtë Kuvend e t’i përfaqësojnë ata votues. Në ditën më të rëndësishme, kur deputetët të cilët kanë marrë besimin e qytetarëve, pra deputetët e opozitës, dhe do të duhej të ishin këtu që ta përcillnin atë besim, nuk i kemi. Ulëset e tyre janë të thata. Dhe ata nuk e përfaqësojnë qytetarin i cili i ka votuar”, tha ai.
Murati ka akuzuar opozitën për sabotim të institucioneve dhe shtyrje të vendit drejt zgjedhjeve të reja, të cilat i ka cilësuar si të panevojshme.
“Pra të gjithë ju qytetarë, që keni dhënë votën për ata deputetë, e të cilët sot nuk po ju përfaqësojnë me mungesën këtu. Duke e sabotuar Republikën e Kosovës dhe duke e çuar vendin në zgjedhje të evitueshme dhe të panevojshme. Sepse sapo kemi pas zgjedhje”, tha ai.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i kërkojnë llogari deputetëve që mungojnë, sidomos në rast të një procesi të ri zgjedhor.
“Pra të gjithë ju duhet t’i pyesni ata, sidomos tash, nëse po shkojmë në zgjedhje, dhe ata vijnë e përsëri ua kërkojnë votën, t’i pyesni: Pse me ju votuar juve? Nëse ata deputetë pra nuk po ju përfaqësojnë juve, qytetarë të dashur. Cila është arsyeja pse ata do të marrin përsëri me kërkuar votë e ju përsëri me i votuar ata? Nëse këta po e bojkotojnë kuvendin e po e sabotojnë Republikën, duke e detyruar vendin me shku edhe një herë në zgjedhje, sepse kanë vendosur që të mos e respektojnë vullnetin e popullit të zgjedhjeve të sapombajtura, pra në dhjetor të vitit të kaluar, atëherë do të duhej ta kishin edhe përgjigjen e juaj. Kur u është për me bërë mirë, e për me ju përfaqësuar juve, nuk i kemi sot këtu”, tha ai.
