Ish-deputetja Adelina Grainca ka njoftuar se sot është takuar me ministrin në detyrë, Dimal Basha.
“Ishte kënaqësi takimi me ministrin Dimal Basha dhe të bisedonim në një atmosferë shumë miqësore për projektet, sfidat dhe mundësitë për zhvillim. Një takim i hapur dhe pozitiv, me ide dhe vizion për të ardhmen. Faleminderit për pritjen!”, ka shkruar ajo.
Takimi i tyre vjen pas përplasjeve të mëhershme mes Bashës dhe familjes Grainca.
Ministri në detyrë kishte bërë bujë vite më parë për deklaratat e tij lidhur me atë që e quante “mafia e betonit” në Ferizaj, ku kishte përmendur edhe familjen Grainca.
Për këto deklarata, Basha ishte dënuar për shpifje në vitin 2025 nga Gjykata e Ferizajt.
Sipas aktgjykimit, ai u shpall fajtor për shpifje dhe fyerje ndaj Mustafë Graincës. Gjykata e detyroi gjithashtu që të kërkojë falje publike në portalin ku ishte publikuar përmbajtja, si dhe në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, me zotimin se nuk do të përsërisë deklarata të tilla.
Po ashtu, sipas vendimit, Basha obligohej që Mustafë Graincës t’ia kompensojë dëmin në vlerë prej 25 mijë eurosh, me kamatë ligjore prej 8 për qind nga dita e paraqitjes së padisë, më 22 korrik 2019, deri në përmbushjen definitive të obligimit.
Ndërsa sot, Basha u takua me ish-deputeten Adelina Grainca, e cila vjen nga kjo familje.
