Prokuroria Speciale ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Nexhat Raifi, Nexhmije Karaqi, Shaban Syla, Halil Mustafa, Hajrullah Muli, Vegim Gashi dhe Avdi Pireva, të cilët po hetohen për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënia e ryshfetit”, si dhe “Ndihmë në kryerjen e veprës penale: dhënia e ryshfetit”.
Kjo kërkesë është refuzuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ndaj shtatë të dyshuarve është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar nga 6 maji deri më 5 qershor 2026.
Gjykata ka sqaruar se mund të caktohet masa e paraburgimit nëse të pandehurit largohen nga vendbanimi pa leje të gjykatës.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
