Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës për spiunazh ndaj ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq.
Ai e ka cilësuar rastin si një nga momentet më serioze për sigurinë kombëtare të Kosovës në vitet e fundit.
Sipas Elezit, kur një person i betuar për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sigurisë së qytetarëve dyshohet për bashkëpunim me struktura të huaja kundër interesave të shtetit, atëherë nuk bëhet fjalë vetëm për një rast individual penal.
“Bëhet fjalë për një goditje të drejtpërdrejtë ndaj besimit institucional dhe vetë arkitekturës së sigurisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Elezi ka ngritur shqetësime për depërtimin e mundshëm të rrjeteve të inteligjencës së huaj brenda institucioneve të ndjeshme të sigurisë, duke theksuar se spiunazhi është sulm ndaj sovranitetit dhe stabilitetit institucional të vendit.
“Kosova nuk mund të përballojë infiltrime të tilla në polici, inteligjencë apo institucione të tjera shtetërore. Çdo tolerim apo relativizim i veprave të spiunazhit do të krijonte precedent të rrezikshëm”, shkroi ai.
Sipas Elezit, nëse aktakuza provohet në gjykatë, atëherë drejtësia duhet të japë një përgjigje të ashpër dhe shembullore.
“Tradhtia ndaj besimit institucional dhe cenimi i sigurisë kombëtare nuk mund të trajtohen me butësi”, është shprehur ai.
