Abelard Tahiri ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Përmes një postimi publik, zyrtari i PDK-së, ish-ministër dhe ish-deputet, ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës, por ka theksuar se do të vazhdojë ta mbështesë partinë dhe kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza.
Ai është shprehur se do të qëndrojë pranë Hamzës dhe PDK-së për të arritur, siç ka thënë, “fitoren e merituar”, e cila sipas tij do ta çojë Kosovën përpara në rrugën euroatlantike dhe do ta forcojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Tahiri ka falënderuar votuesit dhe përkrahësit e PDK-së për mbështetjen ndër vite, duke theksuar se angazhimi i tij për vlerat demokratike dhe përmirësimin e shoqërisë do të vazhdojë edhe jashtë listës zgjedhore.
“Faleminderit nga zemra për çdo mbështetje dhe besim”, ka shkruar ai në fund të reagimit.
Postimi i plotë:
Dëshiroj t’ju njoftoj se në zgjedhjet e 7 qershorit nuk do të jem në listën e kandidatëve për deputet të Republikës së Kosovës.
Do të jem pranë Kryeministrit Bedri Hamza, duke mbështetur Partinë Demokratike të Kosovës për të arritur fitoren e merituar, një fitore që do ta çojë Kosovën përpara në rrugën e saj euroatlantike dhe do të forcojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj çdo votuesi dhe përkrahësi të Partisë Demokratike të Kosovës për besimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Përkushtimi im ndaj vlerave demokratike dhe përmirësimit të shoqërisë vazhdon, edhe pa qenë pjesë e listës zgjedhore.
Faleminderit nga zemra për çdo mbështetje dhe besim!
