Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur të certifikojë pjesëmarrjen e tre koalicioneve dhe një kandidati të pavarur për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ndërsa ka refuzuar një iniciativë qytetare.
Sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, janë certifikuar koalicionet: Lëvizja Vetëvendosje, Koalicija Vakat dhe Ashkalitë e Bashkuara, si dhe kandidati i pavarur Esmir Kasi.
Zyra ka bërë të ditur se këto subjekte kanë përmbushur kriteret ligjore për pjesëmarrje në zgjedhje, përfshirë dokumentacionin dhe procedurat e kërkuara gjatë aplikimit.
Ndërkohë, është rekomanduar refuzimi i certifikimit të iniciativës qytetare “Složno Pobеđujemo”, pasi sipas KQZ-së nuk janë përmbushur kushtet e përcaktuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Sipas sqarimeve, gjatë verifikimit të nënshkrimeve mbështetëse janë evidentuar mospërputhje, përfshirë raste ku disa qytetarë kanë deklaruar se nuk kanë nënshkruar, si dhe mungesë të të dhënave të kontaktit për një pjesë të konsiderueshme të mbështetësve.
Po ashtu, është bërë e ditur se pas kërkesës për plotësim të dokumentacionit, subjekti nuk ka arritur të sigurojë numrin e kërkuar të nënshkrimeve të vlefshme.
