Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të sotme në Skenderaj.
Ai ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për nxitje të përçarjes mes qytetarëve.
Sipas tij Skenderaj u përdor si “skenë për manipulimin e radhës politik”.
“Sot, Skenderaj u shfrytëzua për të nxitur përçarje mes qytetarëve dhe për të krijuar një klimë konfrontimi politik. Kur një kryeministër përdor institucionet, policinë dhe retorikën për të ndarë qytetarët, ai nuk po qeveris, por po manipulon”, ka shkruar Rama.
Ai ka rikthyer në vëmendje edhe çështjen e mosparaqitjes së Kurtit ndaj ftesës së Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke e akuzuar se po sillet “mbi ligjin”.
Kryetari i Prishtinës e ka cilësuar si “akt të ulët” etiketimin e kryetarit të Skenderajt.
“Duke e ditur sakrificën dhe vuajtjen që ka përjetuar Drenica, ta provokosh këtë trevë dhe ta etiketosh Kryetarin e saj si “Serbia” është një akt i ulët. Ta vësh në rrezik paqen sociale dhe t’i shtysh qytetarët drejt përçarjes dhe konfliktit është ligësi. Ky tensionim i qëllimshëm dhe këto tentativa për destabilizim politik dhe shoqëror janë jashtëzakonisht të RREZIKSHME për popullin dhe shtetin e Kosovës. Drenica nuk e meriton këtë. Kosova nuk e meriton këtë”, shkroi ai.
