Zyrtari i AAK-së, Avni Arifi, ka komentuar raportet ndërmjet Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, pas ndarjes së tyre politike.
Në emisionin “N’Pikë” në DTV MEDIA, Arifi deklaroi se, nëse Osmani i ka fshehur veprimet e dëmshme të Kurtit, atëherë sipas tij ajo e ka rrezikuar Kosovën.
Ai tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kohë që ka paralajmëruar se “nuk është puna mirë” as me Osmanin e as me Kurtin gjatë kohës kur bashkëpunonin politikisht.
Sipas Arifit, deklaratat e fundit të Osmanit kundër Kurtit kanë ardhur me vonesë, pasi sipas tij ajo nuk ka folur në kohën kur është dashur.
Megjithatë, Arifi shtoi se me rëndësi është që tashmë po dalin në pah zhvillimet dhe gjërat që, sipas tij, kanë ndodhur prapa skenës.
Në fund, ai tha se në këtë periudhë politike “asnjeri nuk është më i mirë”, duke kritikuar qasjen e të gjitha palëve të përfshira.
