Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka shprehur publikisht mbështetje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë paralajmëruar protestë më 18 maj për të kërkuar të drejtën që provimi i jurisprudencës të mund të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Në disa postime në InstaStory, artistja ka shpërndarë thirrjen për protestë me mbishkrimin “Protestë – Bashkohuni me studentët… 18 maj 2026”, duke përcjellë mesazhin që të gjithë të bëhen “një zë”.
Krahas kësaj, ka bërë edhe një shkrim ku theksohet rëndësia e gjuhës shqipe si pjesë thelbësore e identitetit kombëtar.

“Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Për breza me radhë kemi luftuar për ta ruajtur dhe mbajtur gjallë”, thuhet në postim, duke rikujtuar sakrificat historike të shqiptarëve për ruajtjen e gjuhës.
Rexha gjithashtu sjell në vëmendje edhe faktin se Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik, i ndërtuar mbi bashkëjetesën dhe parimin e të drejtave të barabarta, ku shqipja njihet si gjuhë bashkë-zyrtare.
Në këtë kontekst, mesazhi i saj nënvizon se studentët shqiptarë duhet të kenë të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë të tjerët, sidomos në arsim dhe në proceset profesionale që ndikojnë në karrierën e tyre.

