Një 15-vjeçare është dërguar për 24 orë në mbajtje pasi dyshohet për sulm ndaj një zyrtari policor në Prizren.
E dyshuara është arrestuar pak para mesnatës së të dielës në rrugën “Ekrem Hoxha”, në një pompë të derivateve.
Sipas raportit policor 24-orësh, ajo dyshohet se e goditi me shqelm zyrtarin policor derisa ai po hynte në marketin e gjendur në pikën e derivateve. Dyshohet se e pështyu atë dhe se rezistoi gjatë arrestimit, duke i shkaktuar lëndime dy zyrtarëve.
“Është arrestuar e dyshuara f/k për shkak se fillimisht e kishte fyer dhe më pas sulmuar – goditë me shqelm zyrtarin policor derisa kishte qenë duke hyrë në marketin e një pompe të derivateve. E dyshuara gjatë arrestimit ka shfaqë rezistencë dhe si pasojë ka lënduar dy zyrtar policor”, thuhet në raportin 240orësh.
“Të dyshuarës i është dhënë trajtim mjekësor në stacion policor, kurse zyrtarët policor kanë marr tretman mjekësor.”
Rasti është nën hetim në drejtim të veprave penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “lëndim i lehtë trupor”.
