Një ngjarje tragjike ka ndodhur mesditën e sotme në Vushtrri, ku një punëtor 31-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga lartësia e një objekti në ndërtim e sipër.
Policia ka dhënë detaje mbi rrethanat e para të këtij rasti të rëndë.
Sipas njoftimit, incidenti ka ndodhur rreth orës 13:00.
“Policia në Vushtrri është njoftuar se nga një kat i lartë në një objekt në ndërtim ka rënë një punëtor në rrethana ende të panjohura. Ai është dërguar me autoambulancë në repartin e emergjencës në spitalin e qytetit në Vushtrri, mirëpo nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të pësuara, ndërsa vdekjen e ka konfirmuar mjeku kujdestar”, thuhet në deklaratën e Policisë.
Menjëherë pas tragjedisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, inspektorët komunalë, si dhe inspektorët e punës për të parë nëse janë respektuar rregullat e sigurisë.
Pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, është vënë në lëvizje edhe Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale që lidhet me sigurinë e punëtorëve. Rasti është iniciuar si: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i 31-vjeçarit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ndërsa hetimet po vazhdojnë për ndriçimin e plotë të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
