ëndrim Igrishta është personi që është ndaluar nga Policia pas vdekjes tragjike të një punëtori në një objekt ndërtimi në Vushtrri.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur më 21 maj 2026 në rrugën “Bedri Pejani”, ku punëtori Valmir Klinaku dyshohet se është rrëzuar nga një kat i lartë i objektit në ndërtim.
Pavarësisht dërgimit emergjent me autoambulancë në spital, 30-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, ndërsa vdekja e tij u konfirmua nga mjeku kujdestar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore lokale e rajonale, inspektorët komunalë dhe inspektorët e punës, të cilët kanë kryer ekzaminimet lidhur me kushtet e sigurisë në objekt.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Sinjali mëson se pas hetimeve fillestare dhe intervistimit të pesë dëshmitarëve, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka intervistuar në prani të avokatit edhe Qëndrim Igrishtën.
Pas intervistimit, Prokurori kujdestar ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe mbetet nën hetime.
