Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në GLOBSEC Forum 2026 që po zhvillohet në Pragë, Çeki, ku po diskutohen sfidat globale dhe e ardhmja e demokracisë dhe sigurisë euroatlantike.
Gjatë panelit me temë “Holding the Line on Democratic Resilience”, Zëvendëskryeministri Konjufca foli për sfidat me të cilat përballen demokracitë sot, me fokus në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin e kërcënimeve hibride ndaj stabilitetit rajonal
Ai theksoi transformimin e Kosovës gjatë 26 viteve të fundit, nga një shoqëri e pasluftës në një demokraci funksionale, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë në ndërtimin e një shteti demokratik dhe të qëndrueshëm.
Zëvendëskryeministri Konjufca gjithashtu nënvizoi se agresioni rus kundër Ukrainës ka pasqyruar pasoja direkte edhe në Ballkanin Perëndimor përmes kërcënimeve hibride dhe përpjekjeve destabilizuese. Ai përmendi sulmin e shtatorit 2023 në Kosovë si një akt serioz agresioni, i cili u neutralizua falë reagimit profesional të institucioneve të Kosovës dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Në përfundim, Zëvendëskryeministri Konjufca riafirmoi angazhimin e Kosovës si partner i besueshëm i sigurisë euroatlantike dhe vend i përkushtuar në rrugën e integrimit evropian
