Një qytetar nga Italia ka ngritur shqetësime serioze lidhur me sigurinë e votës së tij dhe të katër anëtarëve të tjerë të familjes, pasi zarfet për votim nga diaspora, sipas tij, kanë ardhur pa masa të mjaftueshme sigurie.
Në redaksinë e DTV MEDIA ai ka dërguar edhe një video, ku pretendon se procesi i pranimit të zarfeve lë hapësirë për manipulim dhe cenim të fshehtësisë së votës.
Kjo ngjarje vjen në kohën kur ka nisur zyrtarisht votimi i diasporës për zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026. Procesi i votimit me postë për mërgimtarët ka filluar nga 21 maji dhe do të zgjasë deri më 6 qershor.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbi 131 mijë qytetarë jashtë Kosovës janë regjistruar për të votuar nga diaspora në këto zgjedhje.
Rasti i denoncuar nga Italia pritet të ngjallë reagime dhe debat mbi sigurinë e votimit përmes postës, një proces që çdo vit merr rëndësi gjithnjë e më të madhe për pjesëmarrjen e mërgatës në zgjedhjet në Kosovë.
