Mbrëmë në Lipjan u mbajt me sukses hapja e fushatës zgjedhore të Koalicionit “Ashkalit e Bashkuar” (121), ku morën pjesë një numër i madh qytetarësh dhe mbështetësish të këtij subjekti politik.
Gjatë takimit u prezantua programi zgjedhor i koalicionit, si dhe kandidatët për deputetë, të cilët shpalosën vizionin dhe angazhimet e tyre për përfaqësimin e komunitetit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve.
Atmosfera u karakterizua nga entuziazmi dhe përkrahja e madhe e të pranishmëve, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për Koalicionin “Ashkalit e Bashkuar” dhe kandidatët e tij.
Vëmendje të veçantë në këtë tubim tërhoqën artistët e njohur Leonard Guci dhe Urim Poliqi. Me praninë dhe angazhimin e tyre, ata i dhanë një mbështetje të fuqishme koalicionit, duke u pritur ngrohtësisht nga qytetarët e pranishëm.
Organizatorët e cilësuan hapjen e fushatës si një fillim të mbarë të rrugëtimit drejt zgjedhjeve, duke theksuar se do të vazhdojnë takimet me qytetarët në komuna të ndryshme për të prezantuar programin dhe objektivat e tyre.
