Kryetari dhe kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, sot ka prezantuar programin për reformim dhe modernizim të sistemit arsimor, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë
Ai ka bërë me dije se ky zotim i tij parasheh digjitalizim dhe Fondi të Bursave në vlerë prej 30 milionë eurosh.
Në një konferencë për media, Hamza ka është shprehur se një sistem arsimor cilësor aftëson qytetarë, ndërton ekonomi konkurruese dhe institucione të qëndrueshme.
Sipas tij, në qeverisjen e udhëhequr nga PDK do ta trajtojë këtë sektor si prioritet kombëtar.
“Arsimi nuk është shpenzim. Arsimi është investimi më i sigurt që një shtet mund të bëjë për të ardhmen e vet. Prandaj, më 7 qershor, ne kërkojmë besimin e qytetarëve për të ndërtuar një sistem arsimor modern, cilësor dhe konkurrues, që u jep fëmijëve dhe të rinjve tanë njohuritë, aftësitë dhe mundësitë që meritojnë. Sepse ndryshimi i Kosovës fillon me edukimin e brezit që do ta ndërtojë Kosovën e së nesërmes”, ka thënë kryetari i PDK-së, duke dhënë detaje tjera.
Ai ka premtuar edhe Fond të Bursave prej 30 milionësh euro në vit dhe programe studimi që garantojnë mundësi punësimi, që të rinjtë ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre në Kosovë.
“Qeveria e PDK-së do të forcojë autonominë universitare, do të mbështesë kërkimin shkencor dhe do të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar me universitetet më prestigjioze evropiane dhe botërore. Ne duam universitete që jo vetëm japin diploma, por prodhojnë dije, inovacion dhe zgjidhje për zhvillimin e vendit. Në këtë drejtim, do ta themelojmë edhe Fondin e Bursave për Studentët. Për herë të parë do të krijojmë Fondin e Bursave për Studentët me vlerë prej 30 milionë euro në vit. Ky fond do të garantojë mbështetje të drejtpërdrejtë për studentët, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike apo sociale. Investimi në studentët tanë është investim në kapitalin më të çmuar të Kosovës, në qytetarët e saj. Rrafsh tjetër ku do të fokusohemi është edhe arsimi joformal dhe kreativiteti rinor”, ka thënë Hamza.
