34-vjeçari, Enea Mekolli është efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja” në Korçë, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shpallur në kërkim në zonën e Lozhanit, në Maliq.
Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ndodhi rreth orës 07:30, kur shërbimet policore rrethuan stanin ku fshihej Violand Braçellari, një person me rrezikshmëri të lartë dhe i dënuar për vepra të lidhura me narkotikët. Pavarësisht thirrjeve për t’u dorëzuar, ai hapi zjarr ndaj forcave të policisë.
Si pasojë e sulmit, humbi jetën inspektori Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur një tjetër efektiv i “Shqiponjave”, Edison Adri, 36 vjeç. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagos edhe autori, i cili më pas u arrestua.
Policia dhe organet hetimore vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

