Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Niq Krasniqi, ka marrë mbështetje publike nga deputeti i Parlamentit të Vjenës, Hannes Taborsky, i cili ka vlerësuar lart kontributin e tij shumëvjeçar në shërbim të komunitetit shqiptar në Austri dhe forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe Austrisë.
Në mesazhin e tij, Taborsky theksoi se për më shumë se tri dekada, Niq Krasniqi ka qenë një zë i rëndësishëm i komunitetit kosovar në Austri, duke përfaqësuar interesat e tyre me përkushtim, seriozitet dhe besueshmëri para institucioneve dhe politikës austriake.
Sipas deputetit austriak, Krasniqi është dëshmuar si një ndërtues urash mes Austrisë dhe Kosovës, duke promovuar dialogun, bashkëpunimin dhe vlerat evropiane, si dhe duke forcuar partneritetin ndërmjet Partisë Popullore Austriake (ÖVP), Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Sidomos në një kohë kur perspektiva evropiane e Kosovës është më e rëndësishme se kurrë, kemi nevojë për njerëz me përvojë dhe lidhje ndërkombëtare. Niq Krasniqi ka dëshmuar se di të marrë përgjegjësi dhe të bashkojë njerëzit”, ka deklaruar Taborsky.
Ai shprehu mbështetjen e tij të plotë për kandidaturën e Krasniqit, duke shtuar se ai mund të luajë një rol të rëndësishëm në Kuvendin e Kosovës si urë lidhëse ndërmjet diasporës, institucioneve të Kosovës dhe partnerëve evropianë.
Në fund të mesazhit, deputeti i Parlamentit të Vjenës falënderoi Krasniqin për dekadat e angazhimit të tij dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen për forcimin e perspektivës evropiane të Kosovës.
