Kandidati për deputet nga LDK-ja, Niq Krasniqi, i cili garon në zgjedhjet e 7 qershorit me numrin 98, ka shprehur shqetësimin e tij për largimin e investitorëve të huaj nga Kosova.
Sipas Krasniqit, një nga arsyet kryesore është mungesa e funksionalitetit të infrastrukturës rrugore, e cila, sipas tij, po ndikon negativisht në klimën e investimeve.
“Askush nuk vjen të investojë në Kosovë kur katër akse rrugore nuk funksionojnë. Investitorëve u kushton shumë në aspektin kohor, ndërsa koha është një nga faktorët më të rëndësishëm në planifikimin e çdo projekti. Nëse çdo ditë humbasim orë të tëra për shkak të problemeve infrastrukturore, askush nuk do të zgjedhë të investojë këtu”, është shprehur ai.
Krasniqi ka përmendur edhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike si një pengesë tjetër serioze për tërheqjen e investimeve të huaja.
“Sipas vlerësimeve tona, gjatë një mandati qeveritar çmimi i energjisë elektrike është rritur me 223 për qind. Me një kosto kaq të lartë të energjisë, investitorët hezitojnë të vijnë në Kosovë. Madje, po shohim që biznese të ndryshme po zhvendosen në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Austri”, ka deklaruar ai.
Në fund, kandidati i LDK-së ka bërë thirrje për ndryshim politik, duke theksuar se, sipas tij, degradimi ekonomik në Kosovë duhet të ndalet përmes mbështetjes së LDK-së dhe kandidatëve të saj në zgjedhjet e ardhshme.
