Vjosa Osmani, e cila garoi me Lidhjen Demokratike të Kosovës si “kandidate për presidente”, tha se emri i saj s’do të jetë pengesë drejt formimit të institucioneve të reja.
Osmani e tha këtë me anë të një postimi në ‘Facebook’, duke shtuar se fokusi i saj do të jetë dalja nga kriza politike, shkruan Insajderi.
“Në këto zgjedhje kam marrë pjesë me qëllim që të ndihmoj në ringritjen e LDK-së dhe për t’i dhënë vendit mundësi te riktheje balansat demokratike e të krijojë institucionet sa më parë. Në këtë drejtim, e ritheksoj atë që e kam thënë disa herë: emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve. Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të cilat mbrojnë shtetin, demokracine, kushtetutën dhe aleancat”, ka thënë ndër të tjera Osmani.
Ndonëse s’e komentoi rezultatin zgjedhor, tha se ky rezultat është vazhdim i një misioni.
“Ky rezultat nuk është fundi i një gare. Është vazhdimi i një misioni. Një mision për t’i shërbyer Kosovës me përkushtim, me ndershmëri dhe me respekt për secilin qytetar, pa dallim”, tha Osmani.
Ajo shprehu falënderimin për mbeshtetësit e LDK’së për votën dhënë këtij subjekti politik.
