Edmond Lajçi, i dënuar për vrasjen e gruas së tij Gjuljeta Ukella, e ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Apelit për konfirmim të dënimit me burgim të përjetshëm, duke bërë që rasti të kaloj në Gjykatën Supreme.
Përmes ankesës, rasti po trajtohet në Gjykatën Supreme dhe më 18 qershor nga ora 10.00, do të mbahet seanca kryesore për këtë rast.
Avokati mbrojtës i Lajçit, Feim Alaj ka ushtruar ankesë, me arsyetimin se vendimi për burgimi i përjetshëm për të nuk është i drejtë, pasi që ai e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet nga prokuroria, pra vrasjen e gruas së tij.
Ndryshe, më 16 prill të vitit 2024, rreth orës 8:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Pejë, Lajçi, e ka privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij, viktimën Gjyljeta Ukella, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i pandehuri kishte pasur me viktimën, duke i ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike me herët.
Kurse, ditën kritike, Lajçi kishte shtënë një herë me armë zjarri në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës dhe si pasojë e kësaj të shtëne është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës.
Atë ditë, ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishte paraqitur në Stacionin Policor të Pejës, ku vetë kishte njoftuar se ‘e vrava gruan’.
