Jabllanica, një fshat në Komunën e Gjakovës, në dosjen përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, përshkruhet se ishte vendi në të cilin u ndaluan, arrestuan dhe u keqtrajtuan persona të përkatësive të ndryshme etnike, duke përfshirë edhe shqiptarë, e që disa prej tyre pretendohet se nuk u panë më gjallë.
I njohur si “Maxhupi” apo “15”, Lahi Brahimaj pretendohet se ishte komandanti dhe anëtari me gradën më të lartë në Jabllanicë. Ndërsa, vëllau i tij pretendohet se nga korriku i ’98-ës ishte zëvëndëskomandant i Zonës së Dukagjinit, e që së bashku me Alush Agushin ishin gjithashtu komandantë me bazë në Jabllanicë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në dosje thuhet se Lahi Brahimaj dhe Nazmi Brahimaj ushtronin autoritet mbi Policinë Ushtarake në Jabllanicë. Ndërsa, Pjetër Shala (i njohur si Ujku), u emërua oficer i Policisë Ushtarake aty në prill ose maj 1998.
Për Shalën, Prokuroria pretendon se në pranverë të 1998-ës, në Jabllanicë dhe zonat përreth, mori në pyetje, frikësoi, keqtrajtoi dhe arrestoi kundërshtarë. Ndërsa, në fund të pranverës 1999, sipas Prokurorisë, Shala kreu krime në Kukës të Shqipërisë.
“Para dhe pas emërimit të tij si drejtues i Drejtorisë së Financave të Shtabit të Përgjithshëm, Lahi Brahimaj përfaqësonte selinë e Jabllanicës dhe zonën e Dukagjinit, duke shërbyer si ndërlidhës ndërmjet tyre dhe Shtabit të Përgjithshëm. Në këtë cilësi, Brahimaj takohej shpesh dhe koordinonte me të Akuzuarit, me të cilët kishte lidhje të hershme”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Si argument, Prokuroria përdor pretendimin se Veseli ishte fshehur në shtëpinë e Brahimajt në Jabllanicë në fillim të viteve 1990. Ndërsa, nofka “Luli” për Veselin pretendohet se u propozua nga Lahi Brahimaj.
Edhe për Selimin, Prokuroria pretendon se takohej shpesh me Brahimajn dhe qëndronte në shtepinë e tij në Jabllanicë, ku edhe organizonin dërgesa armësh nga Shqipëria e planifikonin aktivitete ushtarake.
Ndërsa nga mesi i vitit 1995, Prokuroria pretendon se Thaçi dhe Lahi Brahimaj takoheshin një ose dy herë në vit dhe se për Thaçin ai ishte një nga pikat kryesore të kontaktit në Kosovë.
Gjatë kësaj periudhe dhe periudhën e luftës, thuhet se tre nga të akuauzrit që u përmendën vizituan pika të ndryshme në Zonën e Dukagjnit.
Ndërsa, për Krasniqin Prokuroria thotë se në mesin e korrikut 1998, të paktën vizitoi kazermat në Jablanicë, ndërsa aty po kryheshin krime.
“Për më tepër, vizita e Krasniqit rreth datës 7 shtator 1998 përkoi afërsisht me fillimin e hetimeve për trupat – përfshirë atë të të paraburgosurit të Jabllanicës, Pal Krasniqi – të gjetur në Liqenin e Radoniqit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Kompleksi i kazermave në Jabllanicë, sipas Prokurorisë, shërbeu si objekt paraburgimi për personat që akuzoheshin si bashkëpunëtorë të armikut. Thuhet se të ndaluarit mbaheshin në dy dhoma të një shtëpie me katër dhoma brenda kompleksit.
“Lahi dhe Nazmi Brahimaj përdornin një zyrë në të njëjtën ndërtesë për të marrë në pyetje dhe keqtrajtuar të paraburgosurit…Sipas [REDAKTUAR], të gjithë në zonë e dinin për qendrën e paraburgimit aty. Familjet e viktimave bënin vazhdimisht pyetje për fatin e të afërmve të tyre dhe u thuhej se ata ishin dërguar dhe po mbaheshin në Jabllanicë, fakt i cili iu konfirmua disa prej tyre nga anëtarë të UÇK-së, përfshirë Lahi dhe Nazmi Brahimajn”, thuhet në dosje.
Prokuroria pretendon se nga prilli deri në fund të korrikut të 1998-ës, shumë anëtarë të UÇK-së, duke përfshirë Lahi Brahimajn, Nazmi Brahimajn e persona të tjerë, arrestuan dhe ndaluan më shumë se 12 persona.
“Midis të paktën prillit dhe fundit të korrikut 1998, shumë anëtarë të UÇK-së, përfshirë Lahi Brahimajn, Nazmi Brahimajn, Idriz Balajn (i njohur si Toger), Naser Brahimajn, Hamza Brahimajn dhe anëtarë të policisë ushtarake, arrestuan dhe ndaluan më shumë se 12 persona për periudha të ndryshme kohore, nga një natë deri në gjashtë javë, në kompleksin e kazermave të Jabllanicës”, thuhet në dosje.
Prokuroria përmend me emra disa prej të ndaluarve në këtë kompleks të kazermave në Jabllanicë.
“Ndër ta ishin Idriz Ngucati, Jah Bushati, të paktën dy burra romë të paidentifikuar, [REDAKTUAR], Nenad Remishtar, dy burra malazezë të paidentifikuar, një burrë boshnjak i paidentifikuar, Skender Kuqi, Pal Krasniqi dhe [REDAKTUAR]”, thuhet në dosje.
Thuhet se gjatë kohës që ishin të ndaluar, viktimat ruheshin dhe lidheshin me litarë dhe tela. Ndërsa, përpjekjet për arratisje ndëshkoheshin rëndë.
Sipas Prokurorisë, të ndaluarit kishin ushqim, ujë, kushte sanitare dhe higjienike, si dhe kujdes mjekësor të pamjaftueshëm. Ndërsa, për të fjetur thuhet se kishin vetëm dyshemenë. Aty thuhet se dritaret ishin të mbuluara me dërrasa druri dhe dyshemeja kishte njolla gjaku.
Për një person, Prokuroria thotë se nuk u lejua që të largohet nga dhoma ku ishte i ndaluar për javë të tëra dhe gjatë asaj kohe shpesh ishte pa vetëdije dhe i paaftë për të ngrënë ose pirë.
Sipas Prokurorisë, anëtarët e UÇK-së, përfshirë Lahi Brahimajn, Nazmi Brahimajn, Idriz Balajn, Naser Brahimajn, Hamza Brahimajn dhe pjesëtarë të Policisë Ushtarake, i nënshtronin rregullisht të paraburgosurit ndaj rrahjeve të rënda dhe abuzimit psikologjik.
Prokuroria thotë se gjatë kohës kur rriheshin dhe keqtrajtoheshin, të paraburgosurit akuzoheshin për bashkëpunim, merreshin në pyetje dhe, në disa raste, detyroheshin të pranonin se ishin spiunë.
“Anëtarët e UÇK-së i rrihnin rregullisht të paraburgosurit në mënyrën më “barbare” dhe “të pamëshirshme”, në të gjithë trupin me shkopinj, i godisnin me grushte dhe shqelma, i thernin me thika dhe i kërcënonin me vdekje”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Prokuroria pretendon se një anëtar i UÇK-së i dha armën njërit prej të ndaluarve malazez dhe i tha që ta vriste tjetrin malazez. Kurse, Lahi Brahimaj pretendohet se i dha armën një të ndaluari tjetër dhe i tha që ta vriste veten me arsyetimin se nuk donte që t’i njolloste duart me gjakun e tij.
“Në një rast tjetër, Lahi Brahimaj i dha një armë [REDAKTUAR] dhe i tha të vriste veten, duke thënë se nuk donte t’i “njolloste duart” me gjakun e [REDAKTUAR]”, thuhet në dosje.
Për një person, pretendohet se arriti që të arratisej, por Lahi Brahimaj e kishte rikapur dhe e kishte drëguar në disa lokacione. Pretendohet se gjatë një ndalese, Brahimaj e nxori të ndaluarin nga bagazhi i veturës dhe ia drejtoi armën.
“Pasi [REDAKTUAR] arriti të arratisej, Lahi Brahimaj e rikapi dhe e dërgoi në disa lokacione. Gjatë një ndalese, Brahimaj e nxori [REDAKTUAR] nga bagazhi i veturës, ia drejtoi armën dhe tërhoqi këmbëzën; doli tym dhe [REDAKTUAR] mendoi se kishte vdekur, por nuk pa gjak që t’i dilte nga trupi”, thuhet në dosje.
Pretendohet se Brahimaj e mbylli përsëri bagazhin dhe e dërgoi këtë të ndaluar në Gllogjan ku u rrah dhe u mor në pyetje në një dhomë me mure të njollosura me gjak para se ai të lirohej.
Emrat e personave ndaj të cilëve pretendohet se janë kryer krime
Nenad Remishtari pretendohet se u rrëmbye dhe u dërgua në Jabllanicë në qershor të 1998-ës ku Lahi dhe Nazmi Brahimaj se bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së e rrahën së bashku me një person tjetër emri i të cilit është i redaktuar.
Të nesërmen pretendohet se ushtarët e UÇK-së e morën Remishtarin së bashku me personin tjetër që po mbahej i ndaluar. Prokuroria pretendon se një person kishte dëgjuar se Remishtari ishte vrarë nga anëtarët e UÇK-së.
“Familjarët e Remishtarit kërkuan informacione për fatin e tij, por pa rezultat; eshtrat e tij nuk janë gjetur kurrë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Skender Kuqi dhe Pal Krasniqi pretendohet se janë mbajtur në kompleksin e kazermave në Jabllanicë në korrik të 1998-ës dhe se kanë qenë në gjendje kritike pasi që janë rrahur brutalisht nga Lahi Brahimaj, Nazmi Brahimaj, Naser Brahimaj dhe Hamza Brahimaj.
Pretendohet se këta dy persona së bashku me një tjetër ishin përpjekur të arratiseshin mirëpo të përmendurit me emra ishin kapur nga anëtarët e UÇK-së për shkak të pamundësisë së tyre për të ecur. Pretendohet se ata u rrahën brutalisht përpara se të kthehen në qelitë e tyre.
Për Skender Kuqin pretendohet se pas rrahjeve të rënda, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe u dërgua në një spital fushor në Irzniq. Thuhet se ai kishte shkuar në spital pa vetëdije, veshkat e tij nuk funksiononin dhe trupi i tij ishte i deformuar dhe i enjtur.
“Të nesërmen, ai vdiq si rezultat i rrahjeve që i ishin shkaktuar gjatë kohës sa mbahej i ndaluar”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
“Me kërkesën e vejushës së tij, dëshmitari W01511 i kërkoi shefit të inteligjencës së Zonës së Dukagjinit, Faton Mehmetaj, që ta njoftonte vdekjen e Kuqit në media. Mehmetaj u përgjigj se Kuqi ishte “një shqiptar besnik ndaj autoriteteve serbe dhe për këtë arsye vdekja e tij mund të njoftohej vetëm si e tillë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë e cila Rrustem Tetajn e vendos me kodin W01511.
Për Pal Krasniqin, thuhet se u pa për herë të fundit në Jabllanicë më 25 korrik 1998 si i gjakosur, mavijosur dhe i ënjtur për shkak të rrahjeve të rënda që pasuan përpjekjen e tij për t’u arratisur. Thuhet se ai u vra derisa ndodhej në paraburgimin e UÇK-së.
“Familja e Pal Krasniqit kërkoi informacione për fatin e tij. Anëtarë të ndryshëm të UÇK-së dhanë informacione kontradiktore dhe mashtruese, duke pretenduar në mënyrë të rreme se ai nuk kishte qenë kurrë në Jabllanicë dhe se ishte ende gjallë deri pas ofensivës serbe në shtator 1998”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Pretendohet se trupi i Pal Krasniqit u gjet në zonën e kanalit pranë Liqenit të Radoniqit në shtator të 1998-ës. Aty thuhet se kufoma kishte plagë në kokë nga arma e zjarrit e cila thuhet se ishte shkaku i vdekjes si dhe fraktura në krah dhe kofshë.
“Më 20 gusht 1998, në një takim ku morën pjesë përfaqësues lokalë të Rrafshit të Dukagjinit, një anëtar i LDK-së deklaroi se, për shkak të krimeve të anëtarëve të UÇK-së, “peshqit në Liqenin e Radoniqit po shëndosheshin duke ngrënë mish njerëzor”. Përveç Pal Krasniqit, kufomat e zbuluara pranë Liqenit të Radoniqit dhe të identifikuara më vonë përfshinin disa viktima të tjera (serbë, romë dhe disa anëtarë të së njëjtës familje) të rrëmbyer nga anëtarët e UÇK-së në Zonën e Dukagjinit ndërmjet prillit dhe gushtit 1998”, thuhet ndër tjerash në dosjen e Prokurorisë për Jabllanicën e Gjakovës.
Në anën tjetër, Prokuroria pretendon se shënjestrimi vazhdoi për personat që kishin qenë të ndaluar duke marrë shembullin e një personi dhe të Jah Bushatit i cili pretendohej se kishte kontakte me persona që janë bashkëpunëtorë të policisë serbe.
Për viktimat, Prokuroria thotë se vazhdojnë të vuajnë pasojat fizike dhe psikologjike të keqtrajtimit të tyre e po ashtu edhe të familjarëve të tyre.
“Për shembull, dëshmitari W04594 u traumatizua nga vdekja e djalit të tij, Pal Krasniqi, dhe u trondit që ai ishte vrarë nga bashkëkombës shqiptarë të Kosovës. Dëshmitari W04871 shpjegoi se, pasi [REDAKTUAR] u lirua, ai ishte një person tjetër: i dobët, i rraskapitur dhe me lëndime në të gjithë trupin; “vetëm shpirti i kishte mbetur i paprekur””, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
“Betimi për Drejtësi” do të raportojë mbi detaje të tjera të dosjes përfundimtare të Prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.
Ndërsa, me 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaci tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.
Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.
Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
