Hulumtuesi i Demokracisë në Veprim, Eugen Cakolli, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje mund ta sigurojë formimin e qeverisë nëse arrin të marrë rreth 65 për qind të votave nga diaspora.
Duke folur në Klan Kosova, Cakolli tha se nëse përsëritet rezultati i zgjedhjeve të shkurtit me numrin aktual të votuesve që supozohet se kanë votuar jashtë vendit, atëherë Vetëvendosje do t’i ketë të sigurt 50 deputetë, ndërsa deputeti i 51-të do të varet nga një diferencë prej vetëm dhjetëra votash.
“Nëse përqindja e shkurtit do të përsëritej me numrin aktual të votuesve të supozuar që kanë votuar jashtë vendit, atëherë Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 50 deputetë të sigurtë dhe do të jetë çështja e dhjetëra votave që do ta fitojë edhe deputetin e 51-të. Në kuadër të votimit jashtë vendit nuk ka qenë asnjëherë nën 55%”, deklaroi Cakolli.
Ai shtoi se, sipas skenarit të shkurtit, Vetëvendosje do të arrinte në 43.8 ose 44 për qind të votave.
“Tash nëse shkon me skenarin e shkurtit, atëherë i bie 43.8 ose 44%. Nëse i merr 70% atëherë mund të shkojë deri në 46.7 deri në 47%”, u shpreh ai.
Sipas Cakollit, me 53 deputetë, Vetëvendosje do të mund të siguronte shumicën parlamentare me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve.
“Me 53 deputetë po, pasi që do të ishin edhe nëntë deputetë nga radhët e komuniteteve. Në fakt, në rast se LDK nuk performon mirë, mund ta arrijë këtë edhe me veç 65 % të votave të diasporës dhe do t’i fitonte minimalisht 52 deputetë, por do ta kishte qeverinë me vetëm 61 deputetë”, theksoi Cakolli.
