Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me drejtorët e Komunës së Prishtinës dhe ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve me rastin e shënimit të 27-vjetorit të çlirimit të Prishtinës.
Me këtë rast, Rama tha në një prononcim për media, se liria është rezultat i sakrificës së dëshmorëve dhe se ajo nuk ka ardhur rastësisht.
“Jemi bashkë me komandant Remin dhe ekipin e kryeqytetit, në nderim të dëshmorëve dhe heronjve tanë që kanë dhënë jetën që sot ta gëzojmë lirinë, demokracinë dhe paqen. Këto nuk na kanë rënë prej qielli, por janë rezultat i një procesi të vështirë nëpër të cilin ka kaluar populli ynë. Ne vazhdojmë t’i respektojmë sot e përgjithmonë. Po ashtu kemi edhe projektin monumental për këtë hapësirë, për të cilin jemi duke punuar me ekip profesionale për dizajnimin më të mirë të mundshëm. Faleminderit dhe urime dita e çlirimit, urime 11 qershori”, tha Rama.
