Adrian Shtuni, ekspert për politikë të jashtme dhe siguri që vepron në Uashington, tha se Qeveria e re e Kosovës nga cilado forcë politike që formohet, duhet ta ketë të qartë realitetin mbi marrëdhëniet aktuale të Kosovës me aleatët dhe të krijojë një strategji për politikën e jashtme.
Shtuni shtoi se raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të trajtohen me seriozitet, sidomos tash kur në SHBA është president Donald Trump.
“Në qoftë se e kuptojmë se çfarë prioriteti ka presidenti Trump, në qoftë se vazhdohet me dredhi, me gjysmë të vërteta dhe premtime të pambajtura, kam përshtypjen se ka për të pasur probleme në marrëdhënie”, theksoi ai për Radio Evropa e Lirë.
I pyetur nëse SHBA-ja do të ketë angazhim më të madh në dialogun Kosovë-Serbi, sapo Kosova të formojë një qeveri të re, Shtuni tha se kjo varet edhe nga formati i bisedimeve, por edhe nga koha që do t’ia marrin administratës Trump problemet e tjera gjeopolitike në botë.
Shtuni e ka komentuar edhe deklaratën e Richard Grenelli i cili tha se kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e tij, e konsideron si partnere jo të besueshme.
“Kjo lloj deklarate është mjaft brengosëse, por nuk është befasuese. Në çdo marrëdhënie, qoftë familjare, shoqërore a politike, besueshmëria cenohet kur ti thua një gjë dhe bën një gjë tjetër dhe nuk i përmbahesh fjalës që ke dhënë, nuk u përmbahesh obligimeve që ke marrë para partnerëve. Pra, besueshmëria padyshim është cenuar, besueshmëria e Qeverisë së Kosovës si interlekutor, dikush e thotë me fjalë, dikush e thotë me vepra. Janë pikërisht sjelljet sfiduese jobashkëpunuese që e kanë sjell Kosovën në këtë gjendje ku është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian”.
“Edhe masat të njëjtën gjë komunikojnë, sepse nuk ka arsye të marrësh masa nëse je bashkëpunues. Pra, duhet të lexohet qartë realiteti dhe komunikimi me popullin duhet të jetë më i sinqertë dhe më pak përralla me babadimrin. Ata që nuk e kuptojnë se marrëdhëniet SHBA-Kosovë apo BE-Kosovë aktualisht janë të tensionuara, jetojnë në një realitet paralel dhe mungesa e leximit të realitetit do të jetë e kushtueshme për Kosovën, një kosto që do të ishte e padrejtë për popullin e Kosovës”.