Salih (Bajram) Maqedonci lindi më 4 nëntor 1939 në fshatin Butovc i Epërm, komuna e Prishtinës. Arsimin fillor e kreu në shkollën “Vuk Karaxhiq” (sot “Elena Gjika”), ndërsa Shkollën Normale të Prishtinës e përfundoi në vitin 1961.
Jetën e tij ia kushtoi arsimit, gjuhës angleze dhe shërbimit publik. Fillimisht punoi si mësues në fshatin Siçevë të Prishtinës, më pas studioi Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës dhe u specializua në Londër.
Gjatë karrierës së tij punoi si mësimdhënës i gjuhës angleze, zyrtar për marrëdhënie me jashtë dhe protokoll në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, si dhe në institucione dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Misionin Diplomatik të SHBA-së, OSBE-në, UNMIK-un, IOM-in dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës.
Në janar të vitit 1999, gjatë ngjarjeve tragjike të Masakrës së Reçakut, ai shërbeu si përkthyes për misionet ndërkombëtare dhe ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i një prej periudhave më të vështira të historisë së Kosovës. Për shkak të angazhimit të tij, u bë objekt i sulmeve nga strukturat e regjimit serb.
Për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, u vlerësua me mirënjohje të shumta nga institucione vendore dhe ndërkombëtare. Po ashtu, botoi artikuj të ndryshëm dhe përktheu veprën “Golgota Shqiptare” nga anglishtja në shqip.
Salih Maqedonci do të kujtohet si një arsimtar, intelektual, përkthyes dhe shërbyes i devotshëm i vendit të tij, i cili me punën dhe integritetin e tij la gjurmë të pashlyeshme në shoqërinë kosovare.
Varrimi i tij bëhet sot në varrezat e Arbërisë në Prishtinë, në orën 13:00.
