Të shtëna me armë kanë alarmuar banorët e fshatit Ceceli në Vushtrri, duke vënë në lëvizje njësitet policore dhe hetimore.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti është raportuar mbrëmjen e 12 qershorit, rreth orës 20:30, kur Policia ka pranuar informacione për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat.
Njësitet patrulluese, së bashku me hetuesit, janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes. Gjatë ekzaminimit të zonës, në një rrugë të fshatit janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja të armës me tytë të shkurtër, për të cilat dyshohet se i përkasin një arme me gaz.
Megjithatë, pavarësisht kërkimeve dhe patrullimeve në terren, Policia nuk ka arritur të identifikojë apo lokalizojë ndonjë person të dyshuar ose automjet që mund të lidhet me incidentin.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e forenzikës, të cilat kanë kryer këqyrjen dhe kanë mbledhur provat materiale për ekzaminim të mëtejmë.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si vepër penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personit apo personave që qëndrojnë prapa të shtënave që shqetësuan banorët e Cecelisë.
