“Para së gjithash, modeli i politikës që po ndjek Kurti nuk është më një tango mes dy vetave – Vuçiqit dhe Kurtit. Tani është Kurti pa Vuçiqin”, thotë kryetari i Bordit Drejtues të Forumit për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiq, duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë.
Janjiq vlerëson se në uljen e pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosvoë kanë ndikuar “dy lloje lodhjeje”.
“Para së gjithash, modeli i politikës që po ndjek Kurti nuk është më një tango mes dy vetave – Vuçiqit dhe Kurtit. Tani është Kurti pa Vuçiqin. Në dy ciklet e fundit zgjedhore, ai e ka përdorur retorikën e tij duke theksuar se e ka mposhtur nacionalizmin serb, ka dëbuar kriminelët dhe ka vendosur kontroll administrativ e policor në veri – argument që ishte bindës për shumë votues, veçanërisht për ata nga diaspora. Pritej që, në këtë proces konsumimi, meqë nuk ka më lojtarin Vuçiq, Kurti ta neutralizonte vetveten. Dhe tani kjo ka çuar në një pikë – Kurti ka humbur edhe 9% shtesë. Më pas, kriza e establishmentit politik ka prodhuar një lloj korrupsioni social-politik”, ka pretenduar Janjiq.
I pyetur për deklaratën e Kaja Kallas, e cila tha se këto zgjedhje mund të hapin rrugën për përfundimin e bllokadës politike në Kosovë, Janjiqi ka thënë se “ajo klasë, Peter Sorensen, Lajçak, Borell, është një botë që nuk ekziston në realitet”.
“Ajo botë është aq larg realitetit të Kosovës, por edhe realitetit të Ballkanit… mendoj edhe të vendeve të tyre. Sepse është një vakuum burokratik. Kaja Kallas paralajmëron një takim në nivelin më të lartë – por pyetja shumë e thjeshtë, për të cilën nuk merrni kurrë përgjigje, është: me kë do të takoheni? Me Vuçiqin, i cili ndodhet në krizë legjitimiteti dhe izolimi nga i njëjti Komision Evropian, apo me Kurtin, i cili fiton falë dobësive të të gjithë sistemit, por nuk përfaqëson askënd. Pra, procesi i normalizimit nuk do të mund të rinovohet në formatin e vjetër, absolutisht”.
