Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në trafik gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës.
Përveç aksidenteve me fatalitet, janë regjistruar edhe 35 aksidente me të lënduar dhe 29 të tjera me dëme materiale, duke reflektuar një periudhë të rënduar në sigurinë rrugore në vend.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kësaj kohe janë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 523 gjoba trafiku, si pjesë e kontrolleve të shtuara në terren.
Në kuadër të veprimeve policore, janë arrestuar 22 persona, ndërsa 15 prej tyre janë dërguar në mbajtje. Po ashtu, 2 persona të tjerë janë dërguar në vuajtje të dënimit.
Autoritetet vazhdojnë të apelojnë për kujdes më të madh në komunikacion, duke theksuar se shkeljet e rregullave të trafikut mbeten një nga shkaqet kryesore të aksidenteve në vend.
