Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur lajmin për ndarjen nga jeta të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe invalidit të luftës, Ramadan Shaban Zymeraj nga Guri i Kuq.
Përmes një mesazhi ngushëllimi, Latifi e vlerësoi Ramadan Zymerajn si një luftëtar të lirisë që dha kontribut të rëndësishëm gjatë luftës së UÇK-së, duke marrë pjesë edhe në bartjen e armatimit nga Shqipëria për nevojat e forcave çlirimtare.
Sipas Latifit, Zymeraj u arrestua në shtator të vitit 1998 në malet e fshatit të tij, teksa mbante veshur uniformën e UÇK-së. Bashkë me të ishte arrestuar edhe djali i tij, Blerimi. Gjatë qëndrimit në Burgun e Dubravës, ai përjetoi masakrën e njohur të burgut, ku mbeti i plagosur rëndë në të dyja këmbët, duke u bërë invalid i luftës.
“Sot u nda nga ne një luftëtar i lirisë, një njeri i ndershëm dhe një prind shembullor, i cili me mund e sakrificë rriti 8 djem dhe 3 vajza”, ka shkruar Latifi.
Në fund, kryetari i Rahovecit u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Zymeraj, bashkëluftëtarëve, miqve dhe të afërmve të të ndjerit.
