Armend Grajqevci nga dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në parti, duke sqaruar se kërkesa për dorëheqjen e Lumir Abdixhiku nuk ka ardhur nga anëtarët e kryesisë apo kryetarët e nëndegëve, por nga aktivistë dhe qytetarë, zëri i të cilëve është përcjellë përmes strukturave të partisë.
Në reagimin e tij, Grajqevci ka theksuar se Imri Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga posti i sekretarit të përgjithshëm dhe nuk ka pranuar të jetë pjesë e Kryesisë Qendrore, duke marrë përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit 2025.
Sipas tij, në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Degës dhe të kryetarëve të nëndegëve, Ahmeti ka ofruar edhe mundësinë e dorëheqjes nga pozita e kryetarit të Degës së LDK-së në Lipjan, por kjo është refuzuar unanimisht me insistimin e të pranishmëve.
“Si reflektim ndaj rezultatit zgjedhor, Kryesia e Degës vlerësoi unanimisht se nevojitet reflektim në të gjitha nivelet organizative të LDK-së”, ka deklaruar Grajqevci.
Postimi i plotë:
“Të nderuar miq, si anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Lipjan, ndjej obligim që kjo situatë të sqarohet.
Si parti që në themelin e saj ka demokracinë, në mbledhjen e kryesisë së degës dhe të kryetarëve të nëndegëve u diskutua rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit. Kërkesa për dorëheqjen e z. Lumir Abdixhiku nuk ka ardhur nga këta anëtarë apo kryetarë nëndegësh, por nga aktivistë dhe qytetarë, zëri i të cilëve është përcjellë përmes kësaj strukture.
Kryetari Imri Ahmeti, siç e dini, ka dhënë dorëheqje nga posti i sekretarit të përgjithshëm dhe nuk ka pranuar të jetë pjesë e Kryesisë Qendrore, duke marrë përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit 2025. Po ashtu, në mbledhjen e djeshme të Kryesisë dhe të kryetarëve të nëndegëve, ai ofroi edhe mundësinë e dorëheqjes nga pozita e kryetarit të Degës, por kjo u refuzua unanimisht me insistimin e të pranishmëve.
Si reflektim ndaj rezultatit zgjedhor, Kryesia e Degës vlerësoi unanimisht se nevojitet reflektim në të gjitha nivelet organizative të LDK-së.
Andaj, kjo shtëpi e vjetër e demokracisë respekton fjalën e aktivistit dhe fjalën e votuesit të saj tradicional. Respektojeni edhe ju.”
