Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka folur për ankesën e tij lidhur me rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së për deputetë.
Haxhiu tha se, sipas rinumërimit të KQZ-së nga 5201 vota, atij i janë shtuar 6 vota, duke shtuar se nëse ky trend vazhdon, atëherë nga 147 mijë vota atij do t’i shtoheshin rreth 170 vota, ndërsa kandidatë të tjerë do të humbnin mbi 200 vota.
“Numërimi po na dëshmon, me këtë mostër të 5201 votave të PDK-së, që ka gabime në numërim, nuk është ky gabim i vogël në një mostër prej 3.5%”, tha ai.
Bekim Haxhiu shtoi se për këtë ankesë ai ka mbështetjen e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Para se me bë ankesën e kam takuar kryetarin e PDK-së, ka qenë pro ankesës dhe është që të verifikohet çdo votë… Besoj që edhe te LDK edhe te partitë tjera, nëse do kishin guxim për të kërkuar rinumërim, gabimet do ishin edhe më të mëdha sepse e kam bërë analizën, por le të lodhen për vete. Le të lodhen për vete nëse dojnë me i gjet gabimet sepse gabimet te LDK-ja dhe partitë e tjera janë më të mëdha se sa te PDK-ja, mirëpo secili e mat me guxim dhe takat të vetin. Nuk është kjo hajni e votave brenda PDK-së, këto janë gabime të qëllimshme ose të paqëllimshme të numëruesve të subjekteve tjera”, potencoi kandidati për deputet i PDK-së.
