Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s që mbahet në Turqi, pasi nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneriteti për Paqe.
Në përgjigjen zyrtare thuhet se Kosova nuk ka qenë asnjëherë e ftuar në samite si shtet pjesëmarrës, me përjashtim të disa aktiviteteve të veçanta të organizuara në margjina të samitit, përfshirë edhe një ngjarje të fushatës “Gratë, Paqja dhe Siguria” të organizuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së gjatë samitit të vitit të kaluar.
“Lidhur me interesimin tuaj për raportimet se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s, ju njoftojmë se Republika e Kosovës nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP). Për këtë arsye, ajo nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës. Edhe në të kaluarën, Kosova nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës. Përjashtim kanë qenë ftesat për aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e Samitit, siç ishte aktiviteti “Women, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), i organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë Samitit të NATO-s vitin e kaluar”.
Sipas sqarimit, “samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare dhe partnerëve të ftuar në raste të caktuara”.
Ministria thekson se “Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, duke vijuar me reforma dhe bashkëpunim të ngushtë me aleancën dhe shtetet anëtare”.