Familja e heroit Agim Qelaj ka shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me përdorimin e fotografisë së këtij të fundit nga një tjetër familje, pa marrë më parë asnjë autorizim nga ana e tyre.
Në një reagim të dërguar në redaksinë tonë, familja e heroit pretendon se fotografia, e cila sipas tyre është një montazh, po përdoret nga familja e dëshmorit Naser Lani.
Vjollca Qelaj, motra e heroit Agim Qelaj, e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe problematik. Në reagimin e publikuar, ajo shprehet se përdorimi i figurës së heroit pa miratimin e familjes së tij përbën një shkelje.
“Ne si Familje e Heroit Agim Qelaj reagojmë që fotoja e Heroit, që shihet se është montazh, përdoret nga Familja e Dëshmorit Naser Lani”, thuhet në reagimin e dërguar nga Vjollca Qelaj.

Familja Qelaj kërkon që kjo praktikë të ndërpritet menjëherë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit dhe figurës së heroit, si dhe respektimin e vullnetit të familjarëve të tij.
