Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka vendosur të vazhdojë edhe për 30 ditë rregullimin e përkohshëm të çmimeve maksimale të produkteve të naftës, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të çmimeve të arsyeshme në treg.
Vendimi është marrë pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut dhe analizës së të dhënave të Doganës së Kosovës, nga të cilat rezulton se çmimet e importit të derivateve nuk kanë shënuar ulje. Po ashtu, analizat kanë treguar se lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në tregun vendor kryesisht kur ato rriten, ndërsa uljet nuk përcillen në mënyrë të plotë ose ndodhin me vonesë.
Me vendimin e ri, çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të llogaritet mbi bazën e çmimit mesatar të furnizimit të evidentuar nga Dogana e Kosovës, plus 2 eurocentë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të jetë çmimi mesatar i furnizimit plus 12 eurocentë për litër.
MINTI u bën thirrje të gjitha subjekteve që merren me tregtimin e produkteve të naftës të respektojnë çmimet maksimale të përcaktuara dhe të sigurojnë furnizim të rregullt të tregut.
