Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dominuar ditën e parë të Samitit të NATO-s në Ankara me deklaratat e tij për marrëdhëniet me Turqinë, duke lënë të kuptohet se dëshiron rikthimin e Ankarasë në programin e avionëve luftarakë F-35 dhe heqjen e sanksioneve amerikane të vendosura sipas ligjit CAATSA.
Trump u prit ngrohtësisht nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, në aeroportin e Ankarasë, ku atmosfera mes dy liderëve u vlerësua si tepër miqësore. Presidenti amerikan mbërriti me avionin presidencial, ndërsa gjatë pritjes ambasadori amerikan përshëndeti kontingjentin ushtarak turk me fjalët “Merhaba asker” (“Përshëndetje, ushtar”).
Në deklaratat e tij nga Pallati Presidencial, Trump tha se administrata e tij po shqyrton seriozisht rikthimin e Turqisë në programin F-35.
“Turqia është më besnike se shumica e vendeve. F-35 është avioni më i mirë në botë dhe ne po e shqyrtojmë këtë çështje”, deklaroi ai. Presidenti amerikan u shpreh gjithashtu se dëshiron heqjen e sanksioneve CAATSA ndaj Ankarasë.
“Do t’i heqim sanksionet. Ka ardhur koha. Nuk duam të vendosim sanksione ndaj miqve tanë dhe nuk dua ta mbys mikun tim me sanksione”, tha Trump.
Ai nuk kurseu as elozhet për Erdoganin, duke e cilësuar atë një “mik shumë të ngushtë” dhe duke theksuar se marrëdhënia mes tyre është “shumë e veçantë”.
“Turqia ka një udhëheqës shumë të fortë dhe një ushtri shumë të fuqishme. Kam respekt të madh për Presidentin Erdogan”, u shpreh Trump, duke shtuar se dy liderët mund të diskutojnë edhe për situatën në Iran.
Nga ana e tij, Erdogan deklaroi se çështja e F-35 nuk është e re dhe se pret që SHBA të mbajë premtimin për rikthimin e Turqisë në program.
“Zoti Trump gjithmonë e mban fjalën e tij për këtë çështje. Besoj se do të merret një vendim pozitiv për F-35”, tha presidenti turk.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave optimiste të Trump, rikthimi i Turqisë në programin F-35 mbetet i ndërlikuar, pasi heqja e sanksioneve CAATSA kërkon edhe miratimin e Kongresit amerikan.
Përveç çështjes së F-35, Turqia synon të sigurojë pjesëmarrje pa kushte në programin evropian të mbrojtjes SAFE dhe të avancojë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në industrinë e mbrojtjes.
Në qendër të Samitit të NATO-s është edhe rritja e shpenzimeve për mbrojtjen në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, mbështetja ushtarake për Ukrainën dhe forcimi i industrisë së mbrojtjes së Aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, njoftoi gjithashtu marrëveshje të reja për blerje pajisjesh ushtarake me vlerë mbi 40 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, duke bërë thirrje për një “revolucion transatlantik” në industrinë e mbrojtjes për t’iu përgjigjur kërcënimeve në rritje.
