Bedri Hamza, kreu i PDK-së, e ka pranuar ftesën e Albin Kurtit për takim të premten, ku pritet të diskutohet për formimin e institucioneve të reja.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Hamza ka deklaruar se partia e tij do të sillet në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale, duke theksuar se prioritet për PDK-në është adresimi i sfidave të Kosovës dhe jo ndarja e posteve.
“Prandaj duke e ditur seriozitetin e situatës, mendoj që secili prej nesh duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme e serioze, duke filluar prej ftesës. Duke filluar prej ftesës, ftesa duhet të dërgohet në mënyrën, që me u dërguar nga kryetari i partisë më të madhe të mundshme të siguruar në Kuvendin e Kosovës, dhe të mbahet në objektet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Datat e propozuara ka qenë sot, ora 17:00, dhe janë datat nesër në ora 8:00, në ora 9:00, ose ora 18:00. Sigurisht se unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se me folë për pozitat, e kam thënë dhe po e ripërsëris, është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për qeverisjen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i Partisë Demokratike të Kosovës t’i ketë një numër të caktuar të ministrive, ta ketë një kryetar të Kuvendit apo presidentin apo çfarëdo qoftë”, tha Hamza.
