Këtë të premte, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Skender Krasniqi akuzohet për vrasjen e Florim Zanit.
Prokurori i shtetit, Menduhi Kastrati, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare tha se, me administrimin e provave materiale dhe personale, përtej çdo dyshimi të bazuar mirë, është vërtetuar se i akuzuari Skender Krasniqi ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
Gjithashtu, ai kërkoi nga gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, si dhe t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit.
Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Mahmut Halimi, tha se familja e tani të ndjerit nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi.
Ndër të tjera, ai tha se mbrojtja e të akuzuarit nuk është e qëndrueshme dhe ndryshon varësisht nga provat. Ai kërkoi që trupi gjykues ta dënojnë me burgim të përjetshë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Skender Krasniqi, avokati Ilir Ramaj, tha se duhet të vlerësohen të gjitha rrethanat e rastit, si dhe fakti se i mbrojturi i tij nuk ka qenë iniciues i konfliktit, por se reagimi i tij ka ardhur në një situatë të jashtëzakonshme, kur ai po përballej me një sulm të drejtpërdrejtë.
Tutje, ai tha se veprimi i të mbrojturit të tij nuk ka qenë rezultat i hakmarrjes, por reagim i menjëhershëm në një situatë që ai e ka konsideruar si rrezik për jetën dhe integritetin e tij fizik, duke shtuar se ka qenë reagim në mbrojtje të nevojshme.
Andaj, ai kërkoi që gjykata të marrë një vendim të drejtë, të bazuar në ligj dhe prova.
Gjithashtu, i akuzuari Skender Krasniqi kërkoi nga gjykata që të vendosë drejt dhe u kërkoi falje familjarëve të tani të ndjerit F.Z., duke thënë se ngjarja ka ndodhur në moment dhe pa dashje.
