Komuna e Istogut është përballur sot me një ditë të rëndë, pasi pas aksidentit tragjik me pasoja fatale, u godit edhe nga një breshër i fuqishëm që shkaktoi dëme të mëdha në sektorin e bujqësisë.
Në një prononcim drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Artan Gegaj, tha se sipas vlerësimeve të para, dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.
“Sot ka qenë një ditë shumë e rëndë për Komunën e Istogut. Fillimisht u përballëm me një aksident tragjik, ndërsa më pas komuna u godit nga një breshër i fuqishëm që shkaktoi dëme të mëdha në bujqësi, duke shkatërruar kulturat bujqësore në pjesën më të madhe të territorit”, deklaroi Gegaj.
Ai bëri të ditur se, ndonëse ende nuk ka një bilanc përfundimtar, vlerësimet fillestare tregojnë se rreth 90 për qind e sipërfaqeve të mbjella në territorin e komunës janë dëmtuar.
“Për momentin nuk mund të flasim me shifra të sakta, por nga vlerësimet e para rezulton se rreth 90% e sipërfaqeve të mbjella në territorin e komunës janë dëmtuar”, ka thënë Gegaj.
Sipas Gegës, nga mëngjesi i së martës Komuna e Istogut do të formojë komisionet për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve në terren, me qëllim që të krijohet një pasqyrë e saktë e situatës dhe e fermerëve të prekur.
Ai theksoi se Komuna e Istogut, në bashkëpunim me kryetarin Ilir Ferati, do të angazhohet maksimalisht për t’u dalë në ndihmë fermerëve gjatë gjithë procesit të vlerësimit dhe tejkalimit të pasojave.
Gegaj, i bëri thirrje Ministrisë së Bujqësisë që të reagojë me urgjencë dhe të sigurojë mbështetje emergjente për fermerët e Komunës së Istogut.
“Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme”, është shprehur Gegaj.
