Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që ndodhën sot në lagjen “Bajram Curri” në Prizren.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i plagosuri është Hill Paluca, i cili është dërguar menjëherë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor.
Paluca rezulton të ketë qenë i përfshirë edhe në një rast tjetër të rëndë, të ndodhur më 26 prill 2022 në rrugën “Ibrahim Rugova” në Prizren.
Në atë rast, Policia kishte intervenuar pas një përleshjeje ndërmjet katër personave, gjatë së cilës dyshohej se ishin përdorur grushte, mjete të forta dhe një thikë.
Sipas informacioneve që Sinjali kishte siguruar në atë kohë, të dyshuarit ishin Ardit Braha, atëherë 24-vjeçar, Arlind Braha, 27-vjeçar, dhe Hil Paluca, 24-vjeçar.
Ndërkohë, lidhur me incidentin e sotëm, njësitë relevante të Policisë së Kosovës kanë rrethuar vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plagosjes.
Motivet e të shtënave ende nuk dihen, ndërsa Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personit apo personave të përfshirë.
