Një mbindërtim i ndërtuar pa leje është rrënuar në lagjen Dardania të Prishtinës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë qytetarët.
Rama e cilësoi aksionin si pjesë të angazhimit të institucioneve për mbrojtjen e rendit urban dhe interesit publik në kryeqytet.
“Rrënohet mbindërtimi pa leje në Dardani. Ligji vlen për të gjithë”, ka shkruar Rama.
Ai ka falënderuar qytetarët që raportojnë raste të parregullsive, duke thënë se kontributi i tyre ndihmon në ruajtjen e rendit urban në Prishtinë.
“Faleminderit qytetarëve aktivë që vazhdojnë të raportojnë parregullsitë në Kryeqytet. Bashkë po mbrojmë rendin urban dhe interesin publik”, ka deklaruar Rama.
