Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hapur nga sot, 27 korrik, aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor të ulët dhe të mesëm të ulët, përkatësisht klasat 1–9.
Sipas njoftimit të MASH-it, aplikimi do të realizohet përmes platformës eKosova dhe do të jetë i hapur deri më 9 gusht 2026. Mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit ose kujdestarit që aplikon.
Ministria u ka bërë thirrje prindërve që, para aplikimit, të sigurohen se xhirollogaria bankare është aktive dhe se të dhënat e tyre në eKosova janë të përditësuara.
Aplikimi është i hapur edhe për shtetasit e huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Kosovë, fëmijët e të cilëve ndjekin mësimin në institucionet arsimore të vendit. Ndërkaq, për shtetasit e huaj që ende nuk kanë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkolla, MASH ka njoftuar se do t’ia dorëzojë ASHI-së listën e rasteve për t’u mundësuar qasja në platformën eKosova, ndërsa dokumentet do të dorëzohen përmes emailit [email protected].
MASH ka rikujtuar gjithashtu se, sipas Udhëzimit Administrativ për tekstet shkollore, nxënësit dhe prindërit janë përgjegjës për ruajtjen e tyre. Në fund të vitit shkollor, tekstet duhet të kthehen në shkollë në gjendje të rregullt, ndërsa në rast dëmtimi ose humbjeje, prindi obligohet t’i zëvendësojë ose t’i kompensojë.
Të gjitha aplikimet do të verifikohen nga shkollat përkatëse përmes koordinatorëve të autorizuar. Për informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë MASH-in përmes emailit [email protected] ose në numrin +383 (0) 38 200 65 049.
Postimi i plotë:
