Ish-kampioni britanik i powerliftingut, Jeremy Paynter, ka humbur jetën në një aksident tragjik gjatë pushimeve në ishullin spanjoll Mallorca.
45-vjeçari nga Seabrook i Mbretërisë së Bashkuar ishte duke udhëtuar me jet ski së bashku me partneren e tij, Emily Hill, në Alcudia, kur mjeti u përmbys ndërsa ishte i ndalur në ujë.
Të dy kishin veshur jelekë shpëtimi. Pas rënies në ujë, Paynter arriti ta ndihmonte partneren të ngjitej sërish në mjet, por vetë nuk arriti të hipte, raporton Mirror.
Sipas të dhënave të para të hetimit, ai e kishte shtyrë partneren drejt mjetit për ta shpëtuar, ndërsa më pas kishte hasur vështirësi për t’u kthyer.
Pas disa përpjekjeve, 45-vjeçari u nxor nga uji dhe u vendos mbi shkëmbinjtë pranë vendit të ngjarjes. Në ndihmë mbërritën ekipet emergjente dhe një helikopter, por pavarësisht përpjekjeve për ta reanimuar, ai u deklarua i vdekur.
Ekzaminimi paraprak mjekësor në Spanjë ka përcaktuar asfiksinë si shkak të vdekjes.
Paynter kishte lindur në Zelandën e Re, punonte si menaxher i lartë financiar dhe ishte baba i një vajze shtatëvjeçare. Familjarët dhe miqtë e përshkruan atë si njeri bujar, të dashur dhe baba të jashtëzakonshëm.
