DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
No Result
View All Result

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj kryeinspektorit të Agjencisë për Regjistrimin Civil dhe hetuesit të DHKEK-së

5 Gusht 2026
A A
Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj kryeinspektorit të Agjencisë për Regjistrimin Civil dhe hetuesit të DHKEK-së
Share on Facebook

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, me të cilin janë liruar nga akuza për korrupsion kryeinspektori i Agjencisë për Regjistrimin Civil (ARC) në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Arben Mustafa, dhe hetuesi i Drejtorisë për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Lutfi Menxhiqi, ndërsa hetuesit tjetër të DHKEK-së, Skender Xhema i është refuzuar aktakuza.​​​​​​​​​​​​​​​​​​​​​

“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndërsa Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda… i dt.25.02.2025, VERTETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 30 prill 2026.

Gjykata Themelore në Ferizaj, me aktgjykimin e 27 janarit 2025, i ka liruar nga akuza të akuzuarit Arben Mustafa për veprën penale “Ushtrim i ndikimit në vazhdim” dhe Lutfi Menxhiqi për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit”, pasi ka konstatuar se nuk është provuar se kanë kryer këto vepra penale. Kurse, ndaj të akuzuarit Skender Xhema, aktakuza është refuzuar pasi prokurori i shtetit në fjalën përfundimtare ka hequr dorë nga akuza.

Kundër këtij aktgjykimi, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur ankesë duke pretenduar në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar e jo të plotë të gjendjes faktike. Prokuroria ka propozuar që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin, t’i shpallë fajtorë të akuzuarit, t’iu shqiptojë dënim me burgim, si dhe masën plotësuese të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, ose ta anulojë aktgjykimin dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

Përgjigje në ankesë ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Lutfi Menxhiqi. avokati Flamur Bllacaku, duke propozuar që ankesa e Prokurorisë të refuzohet si e pabazuar dhe aktgjykimi të vërtetohet.

Prokuroria e Apelit, me parashtresë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore, aktgjykimi të ndryshohet, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe t’iu shqiptohen dënime me burgim, si dhe masa plotësuese e ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, ose që aktgjykimi të anulohet dhe lënda të kthehet në rivendosje.

Kolegji i Apelit i përbërë nga kryetarja Kadrije Goga-Lubishtani, Valbona Musliu-Selimaj dhe Mentor Hajra- anëtarë, pas seancës së datës 16 prill 2026, ka konstatuar se ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj është e pabazuar.

Apeli vlerëson se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, dhe është në përputhje të plotë me arsyetimin.

Në vendimin e Apelit thuhet se në arsyetimin e vendimit, gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të duhura për të gjitha faktet vendimtare, duke paraqitur shpjegime si për aspektet faktike ashtu edhe për ato juridike.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka analizuar të gjitha provat e proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe ka nxjerrë konkluzione të drejta, objektive e të ligjshme.

Apeli konstaton se pretendimet e Prokurorisë për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nuk qëndrojnë. Aty thuhet se Themelorja ka vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike, duke arritur në përfundimin se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar.

Lidhur me provat materiale të sekuestruara në banesën e të akuzuarit Mustafa dhe me dëshmitë e dëshmitarëve, Apeli thekson se nuk është arritur të vërtetohet lidhja kauzale ndërmjet këtyre provave dhe veprimeve inkriminuese të pretenduara.

Gjithnjë sipas Apelit, deklarimet e dëshmitarëve të dhëna në shqyrtimin gjyqësor janë vlerësuar si të besueshme dhe në harmoni me provat e tjera, ndërsa deklarimet e dhëna në procedurë hetimore nuk janë marrë si të tilla, pasi ishin mbështetur në prova të shpallura të papranueshme.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se nuk është arritur të provohet përtej dyshimit të bazuar asnjë element i figurës së veprave penale të “Ushtrimit të ndikimit”, “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrjes së ryshfetit”.

Andaj, në mungesë të provave të mjaftueshme dhe të ligjshme, thuhet se gjykata e shkallës së parë me të drejtë i ka liruar nga akuza të akuzuarit Arben Mustafa dhe Lutfi Menxhiqi.

Apeli konstaton se ky vendim është i drejtë dhe i ligjshëm, prandaj ankesa e Prokurorisë duhet refuzuar dhe aktgjykimi duhet vërtetuar.

Të akuzuarit Arben Mustafa dhe Skender Xhema akuzoheshin për “Ushtrim ndikimi”, ndërsa Lutfi Menxhiqi ngarkohej me veprat penale “Keqëpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Sipas dispozitivit I të aktakuzës, Arben Mustafa akuzohej se gjatë vitit 2017, në Kaçanik, si person zyrtar- kryeinspektor i Agjencisë për Regjistrimin Civil (ARC) në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar para nga X personi, që të ushtronte ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, duke marrë 2 mijë euro nga X personi dhe i kishte premtuar se do t’ia punësojë bashkëshorten e tij në Zyrën e Gjendjes Civile në Kaçanik, mirëpo ndikimi nuk ishte realizuar dhe bashkëshortja e të dëmtuarit nuk ishte punësuar, kurse i pandehuri nuk ia kishte kthyer paratë personit në fjalë.

Me këtë, Arben Mustafa., akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par.1 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit II të kësaj aktakuze, i akuzuari Arben Mustafa, po ashtu ngarkohej se gjatë vitit 2018 në Ferizaj, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar ofertën për dhuratë, në mënyrë që të ushtronte ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që pas takimit në kafenenë “Tropikal”, pronë e X personit në Kaçanik, kishte marrë 1 mijë e 500 euro me qëllim që të ndikojë tek hetuesi, i cili ishte duke hetuar një rast penal në procedurën paraprake, e pastaj ishin takuar në një restorant në magjistralen Ferizaj – Prishtinë, ku i kishte marrë paratë nga X personi, kurse më 21 janar 2020 ishte takuar në zyrën e tij në ndërtesën e ARC-së në Prishtinë dhe kishin biseduar lidhur me intervistën që hetuesit kishin zhvilluar me X personin, si dhe ishin pajtuar që të takoheshin në një restorant në regjionin e Ferizajt, ku nuk ka kamera dhe nuk mund t’i vëzhgojë policia.

Me këtë, Arben Mustafa, akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par.1 të KPRK-së.

I akuzuari Arben Mustafa, sipas dispozitivit III, akuzohej se nga muaji tetor i 2019-ës deri më 5 shkurt 2020 në Prishtinë, si person zyrtar- kryeinspektor i ARC-së në MPB, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar oferta për dhurata nga të pandehurit Lutfi Menxhiqi dhe Skender Xhema, në atë mënyrë që i kishte takuar disa herë në zyrën e tij, të cilët i kishin ofruar dhurata, në mënyrë që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e zyrtarëve të Gjendjes Civile në komunat e ndryshme në Kosovë, në mënyrë që të regjistroheshin në librat amë të të lindurve dhe të pajiseshin me dokumente pa i plotësuar kushtet ligjore.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par.1 të KPRK-së.

Tutje, i akuzuari Arben Mustafa, sipas dispozitivit IV, akuzohej se më 4 dhjetor 2019 në Prishtinë, në zyrën e tij të punës, si person zyrtar- kryeinspektor i ARC-së në MPB, në mënyrë të drejtpërdrejte kishte pranuar ofertën për dhuratë nga i dëmtuari prej të cilit kishte pranuar shumën prej 4 mijë euro, në mënyrë që të ushtronte ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e gjyqtarëve të dhomës së veçantë në Gjykatën Supreme lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në mënyrë që të vendosin në favor të personit X, i cili ishte si paditës në çështjen civile për vërtetimin e të drejtës së pronësisë në ngastrën kadastrale numër 1743, me sipërfaqe prej 2.88.99 HA, ZK Prishtinë, mirëpo ndikimi nuk ishte realizuar.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par.1 të KPRK-së.

I njëjti sipas dispozitivit V të kësaj aktakuze, akuzohej se më 22 janar 2020 në zyrën e tij të punës në Prishtinë, si person zyrtar kryeinspektor i ARC-së në MPB, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhuratë nga një person tani i paidentifikuar në mënyrë që të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personave zyrtarë të regjistrimit civil. Ai kishte kërkuar 500 euro për t’ia rregulluar një letërnjoftim një personi, me ç’rast i thotë personit tani të panjohur që të kërkojë 2 mijë euro nga personi që ka kërkuar nxjerrjen e letërnjoftimit, në mënyrë që 500 t’i ndalë për vete, 500 për personin NN, kurse shumën tjetër për zyrtarët e Regjistrimit Civil që do ta procesonin letërnjoftimin.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par.1 të KPRK-së.

Ndërsa, i njëjti sipas dispozitivit VI, akuzohej se në muajin nëntor 2019, në mënyrë të tërthortë kishte pranuar dhuratë që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që kishte pranuar dy parfume nga X personi, kurse më 21 nëntor 2019 ia kishte dhënë hetuesit i cili ishte duke hetuar një çështje penale të fajdesë kundër të dyshuarit nga Peja, në mënyrë që të mos ushtrohet kallëzim penal kundër të dyshuarit.

Me këtë, akuzohej se ka kryer në vazhdim veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari i dytë Lutfi Menxhiqi, sipas dispozitivit I akuzohej se nga muaji tetor 2019, si person zyrtar – hetues në DHKEK në Prishtinë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personit tjetër i kishte premtuar të pandehurit se do t’i ndihmojnë një çështje penale që ishte nën hetim paraprak nga hetuesit e DHKEK-së në Prishtinë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, në të cilin rast kishte interesa pasurore në një pronë në Kaçanik.

Aktakuza thotë se ishte takuar disa herë në zyrën e të pandehurit Arben Mustafa, i cili kishte marrë 1 mijë e 500 euro nga X personi, për të ndikuar te hetuesi, duke i dhënë edhe informata për rastin nën hetim, me ç’rast janë pajtuar që të takohen në një lokal në regjionin e Ferizajt për të biseduar për rastin në fjalë.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit II, i akuzuari Lutfi Menxhiqi akuzohej se më 21 nëntor 2019, si person zyrtar – hetues në DHKEK në Prishtinë, në mënyrë të tërthortë kishte pranuar dhuratë nga i pandehuri Arben Mustafa, në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, duke u takuar në zyrën e të pandehurit Arben Mustafa, i cili e kishte njoftuar se ka marrë dy parfume, njërin për vete kurse tjetrin për të pandehurin, në mënyrë që të mos ushtrojë kallëzim penal kundër të dyshuarit, i cili ishte nën hetim nga DHKEK në Prishtinë për veprën penale të fajdesë, me ç’rast i pandehuri Arben Mustafa e kishte udhëzuar që t’i kërkonin edhe 2 mijë euro nga i dyshuari duke i bërë presion me fjalët “unë e kam ba për hatër të B. se ti moti ishe arrestuar, ishe n’burg, po tu ta ditë ty gjendjen qysh e ki se e di që B. nuk rren”, kurse i pandehuri i kishte thënë” aty vepër s’ka se e kam qinis qysh duhet “.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari i tretë Skender Xhema, akuzohej se më 14 nëntor 2019 si person zyrtar – hetues në DHKEK në Prishtinë, kishte pranuar ofertën për përfitim pasuror, që të ushtronte një ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që kishte shkuar në zyrën e të pandehurit Arben Mustafa dhe prej tij kishte marrë një dhuratë, me qëllim që të ushtrojë ndikim të padrejtë në zyrtarët e gjendjes civile, që ta regjistronin një person pa i plotësuar kushtet ligjore, duke i thënë “se ai naj ka lanë kaparin dhe se ai nuk është kriminel dhe për momentin është në Mal të Zi “, në mënyrë që t’i rregullohet një dokument i identifikimit pa i plotësuar kushtet ligjore.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par.1 të KPRK-së.

Tutje, i njëjti sipas dispozitivit II, akuzohej se më 9 dhjetor 2019 si person zyrtar – hetues në DHKEK në Prishtinë, kishte pranuar ofertën për përfitim pasuror që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, duke shkuar në zyrën e të pandehurit Arben Mustafa., në mënyrë që të ushtrojë ndikim te zyrtarët e Gjendjes Civile për të rregulluar një dokument identifikimi, të cilin e kishte njoftuar se i kishte marrë një shumë prej 5 mijë e 900 euro nga një person me pseudonim, kurse Arben Mustafa i kishte thënë: Si t’i rahatojmë qeta dy rastet e X personit, jena t’u i përcjell paret”, pastaj i thotë “kaparin e ka lanë, m’i ka dhan i ka dorëzu krejt veç pak s’po guxon me hi n’procedurë tash”, në mënyrë që t’i rregullonte një dokument të identifikimit një personi tani të panjohur, pa i plotësuar kushtet ligjore.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par.1 të KPRK-së.

Ndërsa, i njëjti sipas dispozitivit III, më 25 nëntor 2019 si person zyrtar- hetues në DHKEK në Prishtinë, kishte pranuar ofertën për përfitim pasuror që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar. Ai kishte shkuar në zyrën e të pandehurit Arben Mustafa dhe kishte kërkuar prej tij që të ushtrojë ndikim nga personat zyrtarë të Gjendjes Civile për t’ia rregulluar një dokument identifikimi një personi të komunitetit ashkali, duke i thënë “le të nënshkruajë një i afërm i tij në vend të tij dhe të thotë se kinse dikush ma ka vjedh identitetin”, në mënyrë që të lëshojë dokument identifikimi pa i plotësuar kushtet ligjore.

Me këtë, akuzohej se ka kryer në vazhdim veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par.1 të KPRK-së.

DTV MEDIA

Televizioni DTV është një medium i pavarur që shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, përmes platformave kabllore televizive, si dhe në Evropë, Amerikë dhe vendet e tjera të Botës përmes IPTV-ve.
Lëxo më shumë

KATEGORITË

  • Botë (1 782)
  • Konkurs (4)
  • Lajme (30 376)
  • Opinione (63)
  • Showbiz (210)
  • Sport (495)
  • TV (125)
  • Zgjedhjet 2025 (1 095)
  • Rreth nesh
  • Reklama
  • Privatësia dhe Politika
  • Contact

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com

No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Konkurs
  • Zgjedhjet

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com