Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës shkruan se kanë mbetur vetëm disa orë deri në përfundimin e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës.
Prandaj, ai thotë se “Kosova nuk duhet të hyjë në vakum institucional, e aq më pak të krijojë precedent që afatet kushtetuese mund të shtyhen pa fund”.
Sipas tij “rruga është e qartë: ta zgjedhim Kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë institucionin më të lartë përfaqësues të vendit. Më pas, bisedimet politike le të vazhdojnë, ashtu siç e parasheh Kushtetuta – me afatet për formimin e Qeverisë dhe, në kohën e duhur, për zgjedhjen e Presidentit”.
“Shteti nuk ndërtohet duke zvarritur vendimet, por duke respektuar Kushtetutën. Sot kërkohet përgjegjësi, maturi dhe vendimmarrje. Kosova nuk ka nevojë për kriza të reja, por për institucione funksionale dhe lidership që e vendos interesin e Republikës mbi çdo interes tjetër”, ka deklaruar Gashi.
