Policia e Kosovës ka njoftuar se sot është realizuar ekstradimi nga Gjermania në Kosovë i një shtetasi kosovar, i cili kërkohej ndërkombëtarisht për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Sipas njoftimit, ekstradimi është kryer nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane, pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Policia bëri të ditur se ekstradimi u realizua në përputhje me ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Gjermanisë.
Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë së Kosovës për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës theksoi se, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që lidhen me identifikimin e autorëve të veprave penale, si dhe me gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.
