Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pasi caktimit të vazhdimit seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të shtunën në ora 11:00, duke e cilësuar situatën si serioze dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Hamza tha se është cenuar demokracia dhe rendi kushtetues, duke theksuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë sa i përket afatit për konstituimin e Kuvendit.
“Situata është serioze. Është cenuar demokracia, Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Është prodhuar një situatë që mundet me prodhuar pasoja të paparashikueshme për vendin. Ne duhet me i respektuar ligjet tona, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i qartë që Kuvendi duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe data e fundit ka qenë sot.
Cila është logjika, përveç dhunimit të Kushtetutës, demokracisë edhe ligjeve, që seanca nuk vazhdon sonte, po thirret për nesër? Kjo është tërësisht e papërgjegjshme. Ne si Parti Demokratike e Kosovës nuk do të jemi pjesë e lojërave të tilla të papërgjegjshme, jo serioze, me oferta aspak serioze, me biseda aspak serioze për me i dhënë vendit institucione. Dhe sigurisht se ne do t’i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme politike, demokratike në mbrojtje të demokracisë, mbrojtjen e shtetit të Kosovës, Republikës së Kosovës, po edhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Hamza.
Ai bëri të ditur se PDK-ja do ta shqyrtojë situatën në mbledhjen e grupit parlamentar, ku do të formulohen qëndrimet dhe hapat e mëtejmë.
“Ne tash e kemi mbledhjen e grupit parlamentar. Do ta diskutojmë këtë situatë në grupin parlamentar, do t’i bëjmë qëndrimet e tona dhe do të shikojmë se si do të procedojmë tutje. Janë çështje që do të diskutohen tash në mbledhjen e grupit parlamentar. Aty do t’i formulojmë qëndrimet, me qëndrime të qarta”, u shpreh ai.
