Një rast i gjuajtjes me armë zjarri është raportuar në një aheng familjar në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 10 gusht, rreth orës 21:00. Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar të dyshuarin A.N., 33-vjeçar.
Gjatë intervenimit, policia ka konfiskuar një pistoletë me gaz dhe dy fishekë.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të hetohet në procedurë të rregullt.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga përdorimi dhe gjuajtja me armë zjarri gjatë festave dhe ahengjeve familjare, duke theksuar se të shtënat në ajër paraqesin rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Policia ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore ndaj çdo personi që përdor armën në mënyrë të kundërligjshme.
