Alarmet shëndetësore janë aktivizuar në pjesën më të madhe të Britanisë së Madhe, ndërsa temperaturat kanë nisur të rriten sërish dhe vendi po përballet me një tjetër valë të të nxehtit.
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) paralajmëroi se temperaturat e larta mund të sjellin pasoja të konsiderueshme për sistemin shëndetësor dhe shërbimet sociale, përfshirë edhe një rritje të mundshme të numrit të viktimave. Paralajmërimet do të qëndrojnë në fuqi deri të premten në mbrëmje.
Në kulmin e valës së të nxehtit, temperaturat në pjesën më të madhe të Anglisë dhe Uellsit pritet të arrijnë në mesin e të 30-ave. Për sot, temperaturat më të larta parashikohen në lindje të Uellsit, Midlands dhe në zonat qendrore të Anglisë jugore, ku termometrat pritet të shënojnë nga 27°C deri në 30°C.
Paralajmërimet për vapën vijnë në një kohë kur thatësira po përhapet në pjesë të ndryshme të Anglisë. Grupi Kombëtar i Thatësirës deklaroi të hënën se 71.3% e territorit të Anglisë ndodhej tashmë zyrtarisht nën kushtet e thatësirës.
Zonat e fundit të përfshira janë East Midlands, Lincolnshire dhe Northamptonshire, si dhe Kent, East Sussex, Solent dhe South Downs.
Sipas të dhënave të grupit, rreth 45 milionë banorë jetojnë në zonat e prekura nga thatësira, ndërsa mbi 27 milionë persona përballen me kufizime në përdorimin e ujit.
